Secondary Adv

Bankat emetuan 40 mln euro obligacione për 6-mujorin 2026, rriten interesat

Bankat shqiptare emetuan obligacione me vlerë rreth 40 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, me një rënie prej 30 për qind krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, normat mesatare të interesit u rritën si për emetimet në lekë, ashtu edhe për ato në euro.

Sektori bankar ka emetuar obligacione korporative në vlerën e 3.8 miliardë lekëve, ose rreth 40 milionë eurove, në gjysmën e parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shuma e emetimeve pësoi rënie me 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Pjesa dërrmuese e emetimeve të obligacioneve lidhet me kërkesat minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL), të parashikuara në ligjin për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka dhe kuadrin rregullator në mbështetje të këtij ligji.

Këto kërkesa zbatohen për bankat më të mëdha në vend, kryesisht ato me rëndësi sistemike.


Emetimet e obligacioneve përfshijnë vetëm borxh të varur

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, emetimet përfshinë vetëm borxh të varur. Titujt financiarë të borxhit të varur përfaqësojnë detyrime të nënrenditura, të cilat emetohen kryesisht për qëllime të kapitalit rregullator dhe njëkohësisht për të përmbushur kërkesën për MREL.

Borxhi i varur, i konvertueshëm në kapital aksionar të bankave, mund të financohet nëpërmjet marrëveshjeve të huasë ose përmes emetimit të titujve të borxhit, që u ofrohen për blerje individëve apo subjekteve të përzgjedhura nga vetë emetuesi.


Në vitet e fundit, bankat tregtare shqiptare po përdorin gjithnjë e më shumë obligacionet me ofertë private si instrument për sigurimin e borxhit të varur. Ky përdorim ka shënuar rritje veçanërisht pas vitit 2019, kur nisi zbatimi i shtesave makroprudenciale të kapitalit.


Përdorimi i borxhit të varur është një mekanizëm që krijon hapësira për shpërndarjen e dividendëve për aksionarët, pasi një pjesë e kërkesës rregullatore për kapital mbulohet nëpërmjet këtij instrumenti.


Gati gjysma e obligacioneve u emetuan në lekë

Për sa i përket monedhës së emetimit, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, emetimet në monedhën vendase arritën në 1.89 miliardë lekë, emetimet në euro në rreth 1.83 miliardë lekë dhe ato në dollarë amerikanë (USD) në rreth 85.95 milionë lekë.


Totali i emetimeve u nda thuajse në mënyrë të barabartë mes monedhës vendase dhe monedhave të huaja. Rreth 49.6 për qind e emetimeve ishin në lekë, 48.1 për qind në euro dhe pjesa e mbetur prej 2.3 për qind në dollarë amerikanë.


Në këto emetime, individët, krahasuar me personat juridikë, vijojnë të mbajnë një peshë të rëndësishme, duke zotëruar 97.3 për qind të titujve të emetuar të borxhit.


Normat e interesit rriten në 5.8 për qind për lekun dhe 4.8 për qind për euron

Në lidhje me koston e financimit në tregun e kapitalit, normat e interesit kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar kryesisht vlerësimin për primin e rrezikut të instrumentit të borxhit të varur.


Emetimet në monedhën vendase u realizuan me një normë mesatare interesi prej 5.8 për qind, nga 4.9 për qind që kishte qenë një vit më parë.

Një rritje më e ndjeshme u shënua në transaksionet në euro, ku norma mesatare e interesit arriti në 4.8 për qind, nga 3.5 për qind që kishte qenë një vit më parë.


Investitorët blenë 79 për qind të obligacioneve të miratuara për emetim

Banka e Shqipërisë vlerëson se kapaciteti i tregut të kapitalit për të përthithur emetimet gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 paraqitet i kënaqshëm, megjithëse shënon një vlerë më të ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Gjatë kësaj periudhe, investitorët kanë blerë rreth 79 për qind të vlerës totale të titujve të miratuar për emetim në treg, kundrejt nivelit prej rreth 90 për qind të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat